Kryeministri Edi Rama prezantoi sot ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, të përfshira në Paketën e Re të Garancive Procedurale, e cila prek rreth një të pestën e Kodit dhe përmban 105 nene.
Sipas Ramës, për hartimin e paketës janë angazhuar 19 akademikë dhe magjistratë nga Italia, Franca dhe Holanda, së bashku me ekspertët e Këshillit të Europës, me mbështetjen e ministrive të Drejtësisë të Italisë dhe Francës. Sekretariati teknik shqiptar, sipas kryeminsitrit, ka bërë koordinimin e punës.
Sipas paketës së prezantuar nga kryeministri Edi Rama, për veprat me dënim maksimal nën 5 vjet nuk do të caktohet arrest në burg, ndërsa prokurori do të ketë detyrimin të hetojë edhe rrethanat që e shfajësojnë ose favorizojnë personin.
Ndryshimet prekin edhe kontrollin e telefonave dhe përgjimet. Policia dhe prokuroria mund të sekuestrojnë një pajisje, por hapja, kopjimi ose përpunimi i përmbajtjes së saj do të kërkojë autorizim paraprak të gjykatës.
Ndërsa për përgjimet parashikohet që të transkriptohen vetëm komunikimet që lidhen me hetimin.
Paketa vendos gjithashtu rregulla për prezumimin e pafajësisë dhe publikimin e materialeve të hetimit, përfshirë kufizime për publikimin e përgjimeve dhe të dhënave të caktuara.
Sipas kryeminsitrit Rama, përgjegjësia për nxjerrjen e sekretit nuk do të bjerë mbi median, por mbi personin që ka detyrimin ligjor ta ruajë atë.Rama deklaroi se këto ndryshime në Kodin e Procedurës Penale nuk i heqin prokurorisë kompetencat për të përgjuar, kontrolluar, sekuestruar, hetuar pasurinë apo bashkëpunuar ndërkombëtarisht, “por ndryshon mënyrën e ushtrimit të këtyre kompetencave dhe forcon atë që na mungon dramatikisht, kontrollin e gjykatës mbi to.
“Paketa e ndryshimeve nuk do të zbusë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”Për korrupsionin, krimin e organizuar, terrorizmin, trafiqet, krimet me armë ose dhunë të rëndë dhe çështjet e Gjykatës së Posaçme, ruhen regjime të posaçme”.