Princ Leka, në emër të Oborrit Mbretëror Shqiptar, ka reaguar përmes një deklarate publike lidhur me protestat e studentëve në Shqipëri, duke shprehur mbështetjen për të drejtën e tyre për të protestuar dhe shqetësimin për raportimet mbi dhunën dhe pretendimet për keqtrajtim nga punonjës të Policisë së Shtetit.
Në deklaratë, Oborri Mbretëror u bën thirrje institucioneve përgjegjëse të garantojnë sigurinë e studentëve dhe të verifikojnë çdo rast të dyshuar për abuzim me detyrën, duke kërkuar që personat përgjegjës të përballen me ligjin.
Thirrje për hetimin e pretendimeve për keqtrajtim
Sipas deklaratës, Oborri Mbretëror ka ndjekur me shqetësim raportimet për keqtrajtimin e të rinjve dhe të miturve, si gjatë ndërhyrjeve në rrugë, ashtu edhe në automjetet e policisë dhe në komisariate.
Deklarata e plotë:
JEMI NË KRAH TË STUDENTËVE SHQIPTARË
Oborri Mbretëror qëndron në krah të studentëve shqiptarë në ushtrimin e së drejtës së tyre për të protestuar.
Kemi ndjekur me kujdes të gjitha aktet e dhunës dhe denoncimet për keqtrajtimin e të rinjve dhe të miturve, si në rrugë, në furgonët e policisë, ashtu edhe në komisariate, dhe ndihemi të shqetësuar për sigurinë e tyre.
Çdo veprim është dokumentuar përmes videove dhe fotografive, ndaj institucionet përkatëse duhet të veprojnë në përputhje me ligjin dhe të sigurojnë që kushdo që ka abuzuar me detyrën të mbajë përgjegjësi.
I nxisim studentët t’i bëjnë të njohura shqetësimet e tyre edhe përtej kufijve të Shqipërisë, duke informuar komunitetin ndërkombëtar dhe duke përcjellë me vërtetësi dhe përgjegjësi atë që shohin dhe përjetojnë në terren. Zëri i tyre duhet të dëgjohet dhe realiteti të pasqyrohet me ndershmëri.
Gjithashtu, i bëjmë thirrje Policisë së Shtetit të tregojë përmbajtje dhe profesionalizëm. Autoritetet kanë detyrimin të mbrojnë qytetarët, jo t’i intimidojnë apo të përshkallëzojnë tensionet përmes përdorimit të tepruar të forcës. Çdo sjellje e papërshtatshme duhet të bëhet objekt i llogaridhënies.
Protesta paqësore duhet të shoqërohet edhe me përgjegjësi. Dhuna dhe dëmtimi i pronës private janë të papranueshme dhe cenojnë legjitimitetin e çdo kauze të drejtë.
Oborri Mbretëror bën thirrje për qetësi, dialog dhe respektim të të drejtave themelore. Zëri i të rinjve shqiptarë duhet të dëgjohet dhe e ardhmja e tyre të mbrohet.
Oborri Mbretëror Shqiptar