Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka reaguar pas publikimit të një videoje që bëri xhiron e mediave dhe rrjeteve sociale, ku pretendohej se ai kishte kaluar lumin Lana për t’u larguar nga persona që kërkonin ta dhunonin.
Përmes një video-mesazhi në rrjetet sociale, Balliu ka mohuar që të jetë goditur fizikisht, por ka pranuar se është përfshirë në një përballje, gjatë së cilës, sipas versionit të tij, janë sulmuar qytetarë.
Deputeti demokrat ka deklaruar se më herët, rreth orës 17:00, nga selia e Partisë Demokratike kishte denoncuar atë që e cilësoi si dhunë të ushtruar nga Policia e Shtetit ndaj studentëve. Sipas tij, reagimi erdhi edhe pas deklaratave të Dhimitraq Ziut, të cilin e akuzon se është përpjekur të minimizojë veprimet e policisë.
Balliu ka ngritur akuza edhe për mënyrën se si u zhvillua incidenti, duke pretenduar se ai ishte i organizuar nga struktura të policisë. Në deklaratën e tij, ai ka përmendur Skënder Hitajn, Ilir Prodën dhe Ergys Agasin, pa paraqitur në reagimin e publikuar prova që të vërtetojnë pretendimet e tij.
Deputeti ka kritikuar gjithashtu disa persona që, sipas tij, paraqiten si opozitarë, por veprojnë në interes të mazhorancës.
Duke iu rikthyer videos që nxiti reagimet, Balliu ka theksuar se nuk është e vërtetë që është dhunuar, ndërsa ka paralajmëruar se do të vijojë të mbështesë studentët që protestojnë.
“ Nuk është e vërtetë që më kanë goditur. Është e vërtetë që kemi pasur një përballje dhe janë sulmuar qytetarë në atë moment”, ka deklaruar ndër të tjera deputeti i PD-së.
Në përfundim, Balliu ka theksuar se as incidenti dhe as ajo që ai e cilëson si skemë të organizuar nuk do ta pengojnë atë dhe Partinë Demokratike të mbështesin studentët në protestat e tyre.