Një incident i rëndë dyshohet të ketë ndodhur së në Shkup të Maqedonisë së Veriut, atje ku dy të rinj, 21 dhe 23 vjeç, sipas rrëfimeve të tyre tashmë në Polici, dyshohet se janë dhunuar brutalisht nga policia.
Sipas raportimeve, në raportin e brendshëm policor pretendohet se të rinjtë i kanë marrë pistoletën një efektivi, ndërsa ata vetë deklarojnë se arma ka përfunduar në veturë pasi policia ua ka thyer xhamin. Të rinjtë po ashtu pohojnë se policët kanë shtënë me armë, u kanë shpuar gomat e veturës dhe më pas i kanë rrahur, pasi i kanë lidhur dhe shtrirë në tokë.
Nga ana tjetër, zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, ka reaguar publikisht lidhur me incidentin e lartëcekur. Përmes një deklarate zyrtare, Iseni ka bërë të ditur se Kontrolli i Brendshëm tashmë ka nisur hetimet dhe ka garantuar se do të ketë llogaridhënie të plotë në rast se konstatohen shkelje të autoritetit ligjor.

“Pretendimet për dhunë policore ndaj dy qytetarëve më 7 tetor në Shkup duhet të zbardhen plotësisht. Kontrolli i Brendshëm po heton rastin dhe, nëse konstatohen shkelje, do të ketë përgjegjësi. Qytetarët do të njoftohen në kohë për rezultatet e hetimit dhe masat që do të ndërmerren”.
Rreth kësaj ngjarje ka reaguar Bashkimi Demokratik për Integrimm, të cilët kanë kërkuar zbardhjen e plotë të ngjarjes. Nga BDI kërkohet një hetim i menjëhershëm, i paanshëm dhe transparent për të ndriçuar të gjitha rrethanat e rastit dhe për të vendosur përgjegjësi për çdo shkelje të mundshme nga zyrtarët policorë. Sipas tyre, heshtja dhe mungesa e llogaridhënies nuk janë opsion. BDI kërkoi gjithashtu dorëheqjen e zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, si dhe marrjen e përgjegjësisë së plotë institucionale për këtë rast. Ata theksojnë se të drejtat dhe dinjiteti i qytetarëve nuk mund të shkelen nga ata që e kanë për detyrë t’i mbrojnë.
Një qëndrim më të ashpër ka mbajtur Lidhja Shqiptare, e cila e ka dënuar dhunën e pretenduar ndaj dy të rinjve dhe ka kërkuar që çështja të mos mbyllet me procedura të brendshme disiplinore ndaj efektivëve. nSipas kësaj partie, informacionet që ajo disponon ngrenë shqetësime se incidenti mund të mos jetë një rast i izoluar. Lidhja Shqiptare e konsideron sjelljen e pretenduar të policëve si shfaqje të represionit shtetëror ndaj shqiptarëve dhe e ka lidhur këtë situatë me periudhën e qeverisjes së ish-kryeministrit Nikolla Gruevski.
Në komunikatën e saj, partia përdor tone të ashpra ndaj veprimeve të pretenduara të efektivëve.
“Sjellja e këtillë e kriminelëve të veshur me petkun e policisë nuk është asgjë tjetër, vetëm se represion i aparatit shtetëror ndaj shqiptarëve, ngjashëm si në kohën e Gruevskit”, thuhet në deklaratën e saj.