Një zbulim i pazakontë është bërë pasditen e sotme në qytetin e Vlorës, ku dy mina janë gjetur në hyrje të një pallati katërkatësh në lagjen “Pavarësia”, pranë zonës së Aleksandrisë.
Kanë qenë banorët e pallatit ata që kanë konstatuar municionet brenda një muri të amortizuar dhe kanë njoftuar menjëherë Policinë. Sipas të dhënave paraprake, minat ndodheshin pranë sahatit të energjisë elektrike dhe dyshohet se ishin vendosur aty prej shumë vitesh.
Pas marrjes së njoftimit, forcat e Policisë kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë rrethuar zonën për të garantuar sigurinë e banorëve, ndërsa është kërkuar ndërhyrja e specialistëve xhenierë.
Me mbërritjen e tyre, dy minat janë nxjerrë nga pallati dhe janë larguar në mënyrë të kontrolluar, duke shmangur një rrezik të mundshëm për banorët.
Dyshimet paraprake janë se municionet mund të datojnë që nga viti 1997, por ende nuk ka të dhëna të konfirmuara mbi origjinën e tyre dhe rrethanat se si kanë përfunduar në murin e pallatit.
Ngjarja ka shkaktuar shqetësim mes banorëve të zonës, ndërsa rrethanat e zbulimit të minave mbeten për t’u sqaruar.