Situatë e përcjellë me tension e përplasje është duke ndodhur gjatë protestës së opozitës para Kuvendit të Shqipërisë, ndërsa brenda godinës vijon seanca plenare.
Protestuesit janë përplasur fizikisht me forcat e policisë, duke shtyrë kordonin e efektivëve dhe duke tentuar të heqin barrierat metalike të vendosura rreth Parlamentit.
Përballë përshkallëzimit të situatës, policia ka përdorur spraj me piper dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.
Pas përdorimit të sprajit, disa qytetarë kanë shfaqur shqetësime shëndetësore dhe janë parë të shtrirë në tokë, ndërsa ambulanca është thirrur pranë ambienteve të Kuvendit.
Protesta zhvillohet në kuadër të kundërshtimit të opozitës ndaj Reformës Administrativo-Territoriale, ndërsa brenda Kuvendit po zhvillohej debati dhe pritet votimi për ndryshimet e propozuara.




