Studentët janë mbledhur sërish këtë të mërkurë përpara Ministrisë së Arsimit në Tiranë, në kuadër të protestës që vijon prej 16 ditësh. Tubimi ishte njoftuar një ditë më parë nga vetë të rinjtë, të cilët bënë me dije se protesta do të niste që në orët e para të mëngjesit.
Sipas pamjeve nga vendngjarja, një pjesë e studentëve kanë mbërritur tashmë para godinës së ministrisë, ndërsa pritet t’u bashkohen edhe protestues të tjerë. Në zonë janë të pranishme edhe forcat e policisë, në gatishmëri për të menaxhuar situatën dhe për të parandaluar përshkallëzimin e mundshëm të tensioneve.
Deri në këto momente, protesta po zhvillohet e qetë. Kërkesa kryesore e të rinjve mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, të cilën ata e cilësojnë të panegociueshme.
Ndërkohë, kryeministri Rama ka vendosur sërish këtë mëngjes tavolinën prej guri dhe ftesat për dialog, ashtu siç ka bërë edhe në ditët e mëparshme. Studentët i kanë refuzuar deri më tani këto ftesa.
Gjatë ditëve të fundit, protesta është shoqëruar me tensione, përplasje me policinë, shoqërime të protestuesve dhe raportime për persona të lënduar.