Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë mbrëmjen e së premtes Kehlsteinhaus, e njohur si “Foleja e Shqiponjës”, ndërtesa historike e vendosur në Alpet Bavareze të Gjermanisë, e lidhur me historinë e Adolf Hitlerit.
“Një i dyshuar është arrestuar”, njoftoi policia, pa dhënë detaje të tjera mbi rrethanat e ngjarjes apo motivet e mundshme.
Sipas raportimit të revistës gjermane Der Spiegel, zjarri shpërtheu në malin Obersalzberg, pranë Berchtesgadenit. Komanda e Policisë së Bavarisë së Epërme Jugore bëri të ditur se ekipet e emergjencës mbërritën në vendngjarje në orën 21:52 dhe konstatuan një zjarr të madh.
Deri më tani, nuk raportohet për persona të lënduar. Sipas informacioneve paraprake, në momentin e incidentit nuk kishte persona brenda ndërtesës.
Kehlsteinhaus ndodhet në një lartësi prej 1 834 metrash dhe është e hapur për vizitorët që nga viti 1952. Ndërtesa përfundoi së ndërtuari në vitin 1938 dhe ndodhet në një zonë që gjatë periudhës naziste përdorej nga udhëheqja e regjimit.
Ajo ishte projektuar për përdorim nga zyrtarë të lartë nazistë, ndërsa Adolf Hitleri e vizitoi vetëm disa herë.
Ndryshe nga një pretendim i përhapur, Kehlsteinhaus nuk ishte dhuratë për 50-vjetorin e Hitlerit në vitin 1939, sipas informacionit të publikuar në faqen zyrtare të ndërtesës.
Një ashensor i veshur me ar, i ndërtuar brenda shkëmbit, mundëson hyrjen në ndërtesë duke përshkuar rreth 125 metrat e fundit. Ajo arrihet përmes rrugës Kehlsteinstraße, e cila sot përdoret ekskluzivisht nga autobusët.
Në të ashtuquajturën “tarracë me diell” ndodhet një ekspozitë që paraqet historinë e ndërtesës. Emërtimi “Foleja e Shqiponjës” u përhap kryesisht përmes filmave amerikanë të luftës.