Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka reaguar zyrtarisht lidhur me tensionet e regjistruara gjatë protestave studentore në Tiranë dhe në qytete të tjera të vendit, duke bërë të ditur se po verifikon rastet e dyshuara për shkelje ligjore nga punonjësit e Policisë së Shtetit.
Në njoftimin zyrtar, AMP thekson se punonjës të agjencisë kanë qenë të pranishëm në terren gjatë protestave, ku kanë evidentuar raste konkrete. Gjithashtu, janë mbledhur pamje filmike të transmetuara nga mediat dhe materiale të publikuara në rrjetet sociale, të cilat do t’i nënshtrohen analizës dhe verifikimit.
Sipas agjencisë, qëllimi është sqarimi i plotë i rrethanave të çdo rasti dhe përcaktimi i përgjegjësive, në përputhje me legjislacionin në fuqi. AMP bën të ditur se po vijon veprimet në bashkëpunim me strukturat përkatëse të Policisë së Shtetit për shkëmbimin e informacionit dhe verifikimin e ngjarjeve, duke theksuar se ky bashkëpunim nuk do të cenojë pavarësinë e procesit të verifikimit dhe hetimit.
Për rastet ku janë evidentuar të dhëna që mund të përmbajnë elemente të veprave penale, veprimet procedurale po vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Njoftimi i plotë:
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka monitoruar situatën e krijuar gjatë protestave të zhvilluara në Tiranë dhe në qytete të tjera të vendit, me fokus evidentimin dhe verifikimin e çdo rasti të dyshuar për shkelje ligjore nga punonjësit e Policisë së Shtetit gjatë ushtrimit të detyrës.
Në kuadër të këtij procesi, punonjës të AMP-së kanë qenë të pranishëm në terren gjatë zhvillimit të protestave, duke evidentuar raste konkrete.
Gjithashtu, AMP ka administruar materiale filmike të transmetuara nga mediat audiovizive, si dhe pamje të publikuara në rrjetet sociale. Të gjitha materialet e administruara do t’i nënshtrohen analizës dhe verifikimit përkatës, me qëllim sqarimin e plotë të rrethanave të çdo rasti dhe përcaktimin e përgjegjësive, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Për rastet e evidentuara, AMP po vijon veprimet në përputhje me kompetencat e saj ligjore, në bashkëpunim dhe koordinim me strukturat përkatëse të Policisë së Shtetit, për shkëmbimin e informacionit dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjeve, pa cenuar pavarësinë e procesit të verifikimit dhe hetimit. Për rastet kur janë evidentuar të dhëna që përmbajnë elemente të veprave penale, veprimet procedurale vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
AMP mbetet e angazhuar në përmbushjen me përgjegjësi të misionit të saj ligjor, përmes pranisë aktive në terren, monitorimit të vazhdueshëm dhe verifikimit të çdo rasti që lidhet me ushtrimin e detyrës nga punonjësit e Policisë së Shtetit. Agjencia do të vijojë të bashkëpunojë me institucionet përgjegjëse, duke garantuar paanshmërinë, llogaridhënien dhe zbatimin e ligjit, si dhe respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve.