Avokati i Popullit ka reaguar lidhur me përplasjet mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit gjatë protestës së zhvilluar më 31 tetor përpara Ministrisë së Arsimit në Tiranë.
Pas monitorimit të situatës dhe inspektimit në disa komisariate, institucioni ka konstatuar përdorimin e gazit lotsjellës dhe të ujit me presion, si dhe shoqërimin e nëntë personave, mes tyre katër të mitur.
Avokati i Popullit, Endrit Shabani, kërkon verifikimin e plotë të ndërhyrjes policore, duke theksuar se përdorimi i forcës duhet të jetë gjithmonë i domosdoshëm, i ligjshëm dhe proporcional. Institucioni ka paraqitur gjithashtu disa rekomandime për garantimin e të drejtave të personave të shoqëruar.
Sipas njoftimit të Avokatit të Popullit, protesta nisi rreth orës 12:00 të së shtunës, më 31 tetor 2026. Rreth një orë më vonë, situata u përshkallëzua në përplasje mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit.
Gjatë monitorimit u konstatua përdorimi i gazit lotsjellës dhe i ujit me presion nga katër automjete të posaçme të policisë. Grupi i monitorimit inspektoi komisariatet nr. 1, 3 dhe 4, ndërsa mori informacion edhe nga komisariatet nr. 2, 5 dhe 6.
Gjatë protestës u shoqëruan gjithsej nëntë persona: gjashtë në Komisariatin nr. 1 dhe tre në Komisariatin nr. 3. Katër prej tyre ishin të mitur.
Dy të miturit e shoqëruar në këtë komisariat u intervistuan në prani të psikologut dhe përfaqësuesve të Agjencisë për Mbrojtjen e Fëmijëve, ndërsa familjet e tyre u njoftuan.
Në përfundim, Avokati i Popullit u bën thirrje personave që mendojnë se u janë shkelur të drejtat gjatë protestës ose gjatë shoqërimit në polici, t’i drejtohen institucionit me ankesë individuale.
Njoftimi i plotë:
Tiranë, 1 nëntor 2026
Avokati i Popullit thekson se përdorimi i forcës nga policia duhet të përdoret vetëm kur është i domosdoshëm, i ligjshëm dhe proporcional. Ky standard vlen për çdo protestë.
Protesta përpara Ministrisë së Arsimit filloi rreth orës 12:00 të së shtunës, 31 tetor 2026. Rreth një orë më vonë, situata u përshkallëzua në përplasje mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit. Kostatuam përdorimin e gazit lotsjellës dhe të ujit me presion nga katër automjete të posaçme të policisë.
Grupi i monitorimit i Avokatit të Popullit inspektoi komisariatet nr. 1, 3 dhe 4 dhe mori informacion nga komisariatet nr. 2, 5 dhe 6.
Gjatë protestës u shoqëruan nëntë persona: gjashtë në Komisariatin nr. 1 dhe tre në Komisariatin nr. 3. Katër prej tyre ishin të mitur. Katër të rriturit në Komisariatin nr. 1 deklaruan se ishin kalimtarë dhe nuk kishin marrë pjesë në protestë.
Dy të miturit në Komisariatin nr. 1 u intervistuan në prani të psikologut dhe të Agjencisë për Mbrojtjen e Fëmijëve, dhe familjet e tyre u njoftuan. U konstatua sërish se në këtë komisariat nuk ka sistem audioviziv për regjistrimin e intervistave.
Për në vijim Avokati i Popullit rekomandon:
Verifikim të plotë të përdorimit të forcës, me vlerësim të domosdoshmërisë, ligjshmërisë dhe proporcionalitetit të mjeteve, përfshirë gazin lotsjellës dhe ujin me presion.
Instalimin e sistemit audioviziv për regjistrimin e intervistave.
Dokumentimin e arsyeve konkrete për çdo shoqërim, dhe informimin e çdo të ndaluari për arsyet e ndalimit.
- Identifikimin e çdo punonjësi të policisë në çdo kohë duke garantuar që uniforma përmban numrin e identifikimit.
Avokati i Popullit fton çdo person, i cili beson se të drejtat e tij janë shkelur gjatë protestës ose gjatë shoqërimit, t’i drejtohet institucionit me ankesë individuale.