Biznesmeni shqiptar nga Kosova, Behgjet Pacolli, njofton se këtë të mërkurë Gjykata e Apelit në Tiranë i ka dhënë të drejtë kompanisë së tij “Mabco”, për të hyrjen në terminalin e Aeroportit të Vlorës dhe certifikimin e veprës gjigande.
Mirëpo, në të njëjtën kohë me zhvillimet në Tiranë, mediat në Kosovë shkruajnë se ish-ortaku i biznesmenit dhe ish-drejtori i kompanisë së tij “Mabetex”, që tentoi t’i merrte Aeroportin e Vlorës, është arrestuar nga Policia, konkretisht Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit.
“Valon Lluka është ndaluar për 48 orë nga Policia, sipas informacioneve fillestare”, raportojnë gazeta Express dhe Blic, por nuk japin më tepër detaje se për çfarë rasti bëhet fjalë.
Vetë Behgjet Pacolli e ka akuzuar ish-ortakun e tij dhe një nga njerëzit më të besuar që kishte, se i kishte vjedhur me mijëra, në mos miliona euro.