Policia greke që po heton zhdukjen e Alket Rizait beson se krimineli i dënuar, i cili nuk u kthye në burgun e Domokos më 14 shtator, pasi kishte marrë leje, mund të jetë arratisur drejt Shqipërisë ose Kosovës, shkruajnë mediat greke.
Një ditë më parë, ai ishte përfshirë në një incident me të shtëna jashtë një bari plazhi në Anavyssos, ku kishte shkuar me makinën e tij së bashku me disa miq. Sipas hetimeve, Rizai dyshohet se kishte vendosur muzikën me volum veçanërisht të lartë, ndërsa pronari i lokalit kishte dalë dhe i kishte tërhequr vëmendjen, duke çuar në një debat të ashpër.
Situata u përshkallëzua shpejt dhe disa klientë e punonjës të lokalit dolën jashtë, pasi vunë re përleshjen. Në atë moment, sipas informacioneve të deritanishme, Alket Rizai dyshohet se nxori një armë.
Autoritetet po hetojnë mundësinë që ai të ketë qëlluar me armë, me shumë gjasë në ajër. Në lidhje me këtë incident është arrestuar një 27-vjeçar afgan, i cili punonte si roje sigurie në barin e plazhit. Ai akuzohet se është përpjekur të plagosë për vdekje një person tjetër me armë zjarri, duke shkaktuar plagosjen e dy kalimtarëve, fatmirësisht lehtë.
Dëshmia për sinjalizuesin
Ndërkohë, dëshmi të reja lidhur me arratisjen e Alket Rizait sugjerojnë se i dënuari shqiptar mund të ketë përdorur një sinjalizues policie dhe një altoparlant gjatë largimit të tij.
Sipas kësaj dëshmie, një shofer që po udhëtonte në rrugët ku Rizai ishte parë pas incidentit në Anavyssos vuri re një sinjal të aktivizuar nga një automjet që po lëvizte pas tij, të ngjashëm me atë që përdor Policia Helenike në automjetet civile.
Sipas dëshmisë së shoferit, një prej pasagjerëve të automjetit i foli përmes një altoparlanti.