Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen e një personi është regjistruar në Has. Viktima është një 46-vjeçar nga Kosova, ndërsa vëllai i tij, 38 vjeç, ka mbetur i plagosur.
Ngjarja ka ndodhur në livadhet e fshatit Domaj, në njësinë administrative Gjinaj, ku dyshohet se një mjet sportiv është përmbysur gjatë lëvizjes.
Sipas informacionit paraprak të policisë, 46-vjeçari me inicialet A. Q., i cili drejtonte mjetin, ka humbur jetën në vendngjarje. Ndërkohë, vëllai i tij, V. Q., 38 vjeç, ka pësuar dëmtime dhe është transportuar në spitalin e Kukësit, ku po merr trajtim mjekësor.
Në vendin e aksidentit ka mbërritur grupi hetimor, i cili po punon për të zbardhur rrethanat e ngjarjes dhe për të përcaktuar shkaqet e sakta të aksidentit.