Erjon Vishkulli, 28-vjeçari nga Elbasani që mbeti i plagosur rëndë në sy gjatë protestave në Tiranë, është rikthyer në Shqipëri pas tre javësh trajtimi të specializuar në Itali.
Në një prononcim për mediat, ai ka rrëfyer vështirësitë e kësaj periudhe dhe ecurinë e gjendjes së tij shëndetësore. Vishkulli bëri të ditur se gjatë ndërhyrjes së parë kirurgjikale në spitalin italian është hequr trupi i huaj që kishte mbetur në syrin e tij.
Megjithëse gjendja është stabilizuar dhe mjekët kanë dhënë sinjale pozitive, rikthimi i shikimit mbetet ende i pasigurt. Më 17 dhjetor ai do t’i nënshtrohet një kontrolli të radhës, përpara ndërhyrjes kryesore kirurgjikale. Një shenjë shprese është fakti se tashmë ka nisur të perceptojë dritën.
I riu e cilësoi këtë periudhë si një nga më të vështirat e jetës së tij, ndërsa falënderoi qytetarët, miqtë dhe të gjithë ata që i qëndruan pranë përmes mesazheve, telefonatave dhe mbështetjes së vazhdueshme.
I pyetur për momentin kur u plagos gjatë përplasjeve në sheshin “Skënderbej”, Vishkulli tha se nuk dëshiron ta rikujtojë atë ditë. Megjithatë, ai u shpreh se nuk është penduar aspak që mori pjesë në protestë, duke theksuar se solidariteti i shqiptarëve i ka dhënë forcë për të përballuar këtë betejë.
Ndërkohë, Prokuroria e Tiranës po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Përmes një letërporosie drejtuar autoriteteve italiane, është kërkuar sekuestrimi i objektit të nxjerrë nga syri i 28-vjeçarit, për t’iu nënshtruar ekspertizës balistike dhe kriminalistike.
Hetuesit po verifikojnë gjithashtu veprimet e efektivëve të policisë gjatë ndërhyrjes për shpërndarjen e protestuesve, për të përcaktuar nëse është përdorur forcë përtej kufijve të lejuar nga ligji.