Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore është mbledhur këtë të martë, me fokus shqyrtimin e propozimeve të opozitës, rekomandimeve të pazbatuara të ODIHR-it, financimin e partive politike dhe ndryshimet e nevojshme për zgjedhjet e ardhshme vendore. Në mbledhje janë evidentuar sërish dallimet mes mazhorancës dhe opozitës për mënyrën se si duhet të vijojë procesi dhe rolin e konsensusit politik.
Bashkëkryetari i komisionit nga mazhoranca, Damian Gjiknuri, kërkoi që opozita t’i paraqesë propozimet në formën e akteve ligjore, në mënyrë që ekspertët të mund t’i shqyrtojnë dhe të nisin punën konkrete.
Ai shprehu shqetësimin për vonesat në proces, duke theksuar se kanë mbetur më pak se dy javë deri në përfundimin e afatit të nëntorit. Sipas Gjiknurit, një projektligj për partitë politike ishte përgatitur për diskutim, por procesi është bllokuar.
“Kam pritur nga opozita sjelljen e një projekti që, sipas tyre, ka nevojë për ndryshime. Më erdhi një dokument, më ngjante si ‘paper’, nuk m’u duk i plotë. Megjithatë, janë ndërmarrë procedurat e nevojshme. Propozimi i PD-së duhej të vinte me akt ligjor. Ne do t’i hapim rrugë ekspertëve pasi opozita të sjellë propozimet e saj, që ata mendojnë se mund të ndryshojnë”, deklaroi Gjiknuri.
Ai shtoi se mazhoranca ka zhvilluar kontakte me trupën diplomatike për të shpjeguar vonesat dhe punën për rekomandimet e OSBE-së. Gjiknuri paralajmëroi se, nëse nuk arrihet mirëkuptim me opozitën, komisioni rrezikon të mos përmbushë detyrën e tij brenda afatit.
“Kanë mbetur më pak se dy javë për skadimin. Nëse do të biem dakord, mund të bëjmë shumë gjëra. Në të kundërt, jemi në situatë shqetësuese dhe Komisioni nuk do ta plotësojë punën e vet. Ne nuk do të rrimë duarkryq, do të sigurojmë kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme”, tha ai.
Bylykbashi: Reforma duhet të mbështetet në konsensus
Nga ana tjetër, bashkëkryetari i komisionit nga opozita, Oerd Bylykbashi, kërkoi që ndryshimet të bazohen në konsensus politik dhe të përfshijnë rregulla të qarta për parandalimin dhe ndëshkimin e abuzimeve gjatë proceseve zgjedhore.
Ai kritikoi mazhorancën për mosrespektimin, sipas tij, të marrëveshjes së 5 qershorit 2020 dhe kundërshtoi që konsensusi të trajtohet si pengesë për ecurinë e reformës.
“Të paktën sot u zbatua konsensusi për rendin e ditës. Ajo e radhës që shkoi ishte provokim i hapur dhe thyerje e rregullave. Për shkak të kësaj u përdor për herë të dytë në histori vetoja. Uroj të mos ndodhë edhe sot, ka çështje që nuk duhet të kalojnë për diskutim”, deklaroi Bylykbashi.
Sipas tij, ndarja e shtetit nga partia është një prej parimeve kryesore që duhet të garantohet përmes reformës. Ai pretendoi se partia në pushtet përfiton nga avantazhet e kontrollit të shtetit dhe se raportet e OSBE-së kërkojnë konsensus politik.
“Konsensusin e vitit 2020 e shkeli PS-ja për të miratuar këtë paçavure që kemi sot. Kjo është një nga çështjet kryesore dhe, nëse do të ketë konsensus, kjo reformë do të jetë një nga gjërat më të mëdha që ka ndodhur. Nuk kemi për të pranuar më zgjidhje që nuk i refuzonim dot sepse ishim jashtë parlamentit”, u shpreh ai.
Bylykbashi theksoi se opozita kërkon një paketë të plotë ligjore, me ndalime të përcaktuara qartë dhe sanksione konkrete për shkeljet, përfshirë gjoba të rënda dhe përgjegjësi penale.
PD kërkon rikthimin e koalicioneve me lista të përbëra
Gjatë prezantimit të propozimeve të opozitës, Bylykbashi renditi disa prej ndryshimeve që Partia Demokratike kërkon të përfshihen në Reformën Zgjedhore.
Ndër kërkesat kryesore është rikthimi i koalicioneve me lista të përbëra, në mënyrë që partitë të garojnë me emrin dhe siglën e tyre, duke ruajtur mundësinë për të marrë vota në mënyrë të veçantë. Ai iu referua marrëveshjes së 5 qershorit 2020, të cilën tha se e kishte firmosur së bashku me Gjiknurin dhe që, sipas tij, u mbështet në atë kohë nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe Komisioni Europian.
Një tjetër kërkesë e PD-së është kalimi në sistem proporcional kombëtar me lista 100 për qind të hapura për zgjedhjet parlamentare. Opozita kërkon gjithashtu hapjen e plotë të listave për këshilltarët bashkiakë.
“Ne kemi kërkuar që të rikthehet koalicioni me listë të përbërë. Kërkojmë respektimin e marrëveshjes së 5 qershorit, që e mbështeti Departamenti i Shtetit dhe Komisioni Europian në atë kohë. Koalicioni i jep çdo partie mundësinë të garojë me emrin e vet, siglën e vet dhe të marrë votën e vet. Ka funksionuar në vitet 2003, 2005, 2009 e me radhë, deri në vitin 2013, dhe prodhoi rotacion”, tha Bylykbashi.
Ai shtoi se propozimet e opozitës synojnë të krijojnë një kuadër më të plotë ligjor për zgjedhjet, me mekanizma të qartë për parandalimin e abuzimeve dhe garantimin e konkurrencës mes partive politike.