Bashkimi Europian ka miratuar një paketë të re sanksionesh ndaj Rusisë, e cila përfshin mbi 100 individë dhe organizata të akuzuara për mbështetjen e luftës kundër Ukrainës, përhapjen e propagandës dhe kryerjen e sulmeve kibernetike.
Masat prekin agjencinë ruse të propagandës Social Design Agency, disa figura të njohura të medias ruse, si dhe grupin e hakerëve prorusë NoName057(16), i akuzuar për sulme ndaj institucioneve shtetërore dhe infrastrukturës kritike në Ukrainë dhe në vendet e BE-së.
Në listën e sanksioneve është përfshirë edhe Tatjana Kim, sipërmarrësja më e pasur e Rusisë dhe pronare e platformës së tregtisë online Wildberries.
Sipas Këshillit të BE-së, platforma e saj ndihmon në furnizimin e ushtrisë ruse me mallra ushtarake dhe produkte me përdorim të dyfishtë. Paketa përfshin gjithashtu afro 50 banka dhe institucione financiare ruse, si dhe kompani nga Kina, Emiratet e Bashkuara Arabe, Sejshellet dhe Omani, të cilat dyshohet se janë të përfshira në transportin dhe tregtinë e naftës ruse përmes të ashtuquajturës “flotë hije”.
Sanksionet parashikojnë ngrirjen e aseteve, ndalimin e transaksioneve ekonomike dhe kufizime udhëtimi për individët e përfshirë në listë.
Përmes këtyre masave, BE-ja synon të vijojë presionin ekonomik dhe politik ndaj Moskës, ndërsa paralelisht po zhvillohen përpjekje dhe negociata të reja për arritjen e paqes.
Ndërkohë, Brukseli po punon për paketën e 22-të të sanksioneve, e cila pritet të miratohet përpara fundit të vitit.