Lorent Tolaj është gjithnjë e më pranë një mundësie me Kombëtaren e Zvicrës. Sulmuesi 25-vjeçar i Bristol Cityt është përfshirë në listën rezervë të trajnerit Murat Yakin për dy sfidat e nëntorit në Ligën e Kombeve, kundër Sllovenisë dhe Skocisë.
Ky është një zhvillim që shton pikëpyetjet rreth së ardhmes ndërkombëtare të futbollistit me origjinë shqiptare, i cili prej kohësh është në vëmendjen e tri përfaqësueseve: Zvicrës, Shqipërisë dhe Kosovës.
Tolaj ka përfaqësuar më herët Zvicrën në ekipet e moshave, nga U-17 deri te U-19, ku ka lënë gjurmë me 11 gola në po aq paraqitje. Ndërkohë, aktivizimi dhe paraqitjet e tij me Bristol Cityn në Championship kanë bërë që emri i tij të fitojë më shumë vëmendje në futbollin britanik dhe jo vetëm.
Përfshirja në listën rezervë tregon se sulmuesi është në radarët e stafit teknik helvetik, por ende nuk bëhet fjalë për një ftesë në listën përfundimtare të Kombëtares A.
Kështu, gara për të ardhmen ndërkombëtare të Tolajt mbetet e hapur. Nëse Murat Yakin vendos ta përfshijë në grupin përfundimtar dhe futbollisti aktivizohet me ekipin e parë, Zvicra mund të marrë një avantazh të rëndësishëm në raport me Shqipërinë dhe Kosovën.
Për momentin, mbetet për t’u parë se cili do të jetë vendimi përfundimtar i sulmuesit, i cili mund të bëhet një tjetër futbollist me origjinë shqiptare që zgjedh përfaqësuesen helvetike.