Punonjësit e Gardës së Republikës kanë përsëritur kërkesën e tyre për rritjen e pagave, duke u bërë thirrje strukturave përgjegjëse të përgatisin dhe të paraqesin pranë Ministrisë së Financave një program të detajuar për përmirësimin e trajtimit financiar.
Në një reagim publik, ata shprehen se Garda nuk është vlerësuar financiarisht në përputhje me përgjegjësitë dhe vështirësitë e shërbimit.
Në vijim të postimit tonë zyrtar të mëparshme; “Thirrjen për dialog në rritjen e pagës”, i rikujtojmë Sektorit të Financës dhe strukturave përgjegjëse të paraqesin urgjentisht pranë “Ministrisë së Financës”programin e rritjes së pagave për punonjësit e Gardës të detajuara.
Nuk mund të pritet më! Që nga viti 2001, Institucioni i Gardës së Republikës nuk vlerësohet siç duhet. Ajo që historikisht ka qenë një diferencë meritore prej +15,000 lekësh ndaj institucioneve tjera të sigurisë sot është shkrirë, duke cënuar dinjitetin ekonomik të punonjësve tanë.
Pse kjo rritje është e padiskutueshme?
Profesioni ynë është gjithmonë me “vizë të kuqe”: Presioni, gatishmëria dhe vështirësia në shërbimin tonë janë maksimale në çdo sekondë.
Zero tolerancë për gabime: Në profesionin tonë NUK DUHET dhe NUK KA KURRË “HERË TË PARË” kur bëhet fjalë për cënimin apo rrezikimin e Personaliteteve të Lara Shtetërore, vendas apo të huaj. Siguria e tyre është imazhi i vetë Shtetit Shqiptar.
Të mbrosh shtetin me jetë kërkon që edhe shteti të të vlerësojë me dinjitet. Presim reflektim dhe hapa konkretë nga strukturat përgjegjëse”,- thuhet në reagim.