Kryeministri Edi Rama do të mbledhë sot, në orën 09:30, ministrat dhe drejtuesit politikë të qarqeve të Partisë Socialiste.
Takimi zhvillohet pas protestave të dhunshme të ditëve të fundit në Tiranë, ndërsa në fokus të diskutimeve pritet të jetë edhe Buxheti i vitit 2027 dhe paketa fiskale, të cilat pritet të shqyrtohen së shpejti në Kuvend.
Po sot, në orën 10:00, në Komisionin për Ekonominë, Punësimin dhe Financat do të prezantohet projektligji “Për Buxhetin e vitit 2027”, së bashku me projektligjet që përbëjnë paketën fiskale.
Nismat ligjore përfshijnë:
Ndryshime dhe shtesa në ligjin për akcizat në Republikën e Shqipërisë.
Ndryshime në ligjin për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH).
Ndryshime në ligjin për Taksat Kombëtare.
Ndryshime në ligjin për Tatimin mbi të Ardhurat.
Ndryshime në ligjin për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë.
PS dhe PSD takohen me Presidentin për datën e zgjedhjeve
Ndërkohë, në orën 09:00, përfaqësues të Partisë Socialiste do të takohen me Presidentin Bajram Begaj për të diskutuar mbi datën e zgjedhjeve vendore të vitit 2027.
Takim me Presidentin do të zhvillojnë edhe përfaqësues të Partisë Social-Demokrate, të drejtuar nga Tom Doshi, në orën 11:00.
Sipas Kodit Zgjedhor, data e zgjedhjeve shpallet nga Presidenti në përputhje me afatet ligjore. Duke marrë parasysh përfundimin e mandateve të kryetarëve aktualë të bashkive, 6 nëntori përllogaritet si afati i fundit për shpalljen e datës së zgjedhjeve, të cilat duhet të zhvillohen një të diel ndërmjet 15 prillit dhe 15 majit 2027.
Ftesa e Presidentit Begaj për konsultime me partitë politike është refuzuar publikisht nga Partia Demokratike. Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, e ka cilësuar procesin e konsultimeve si “teatër”.
Deri më tani, partitë nuk kanë bërë publike një datë të preferuar për zgjedhjet. Muaji maj shihet si një nga periudhat e mundshme për zhvillimin e tyre. Data 2 maj përjashtohet për shkak se përkon me Pashkët Ortodokse, ndërsa 9 maji është përmendur si një nga datat e mundshme. Kjo e fundit përkon edhe me Ditën e Europës.