Këshilli i Ministrave pritet të mblidhet sot për të shqyrtuar dhe miratuar Paketën Fiskale dhe Buxhetin për vitin 2027. Pas miratimit nga qeveria, të dyja nismat do të kalojnë përmes procedurave parlamentare, përpara votimit në Kuvend.
Sipas paralajmërimeve të kryeministrit Edi Rama dhe kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, Buxheti i vitit 2027 pritet të arrijë në 10 miliardë euro, duke u cilësuar si më i larti i hartuar ndonjëherë në Shqipëri. TVSH-ja për ushqimet propozohet të ulet në 6%
Paketa e re fiskale parashikon ndryshime në nivelin e taksave për qytetarët dhe bizneset. Një prej propozimeve kryesore është ulja e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) për produktet ushqimore nga 20% në 6%, me synimin për të ulur çmimet e produkteve të shportës.
Paralelisht, propozohet rritja e normës së përgjithshme të TVSH-së nga 20% në 21%. Kjo masë mund të sjellë rritje të çmimeve për produkte dhe shërbime që i nënshtrohen normës standarde.
Rritet TVSH-ja për disa struktura akomoduese
Ndryshime parashikohen edhe për sektorin e turizmit. Për hotelet me pesë yje, agroturizmat dhe shërbimin e akomodimit në strukturat akomoduese, propozohet rritja e TVSH-së nga 6%, normë e zbatuar që prej vitit 2019, në 10%.
Një tjetër ndryshim i propozuar lidhet me pragun e regjistrimit për TVSH-në. Ai pritet të ulet nga 10 milionë në 5 milionë lekë xhiro vjetore.
Nëse miratohet, kjo do të thotë se bizneset me xhiro mbi 5 milionë lekë në vit do të përfshihen në skemën e TVSH-së me normën përkatëse. Që prej janarit 2021, bizneset me xhiro deri në 10 milionë lekë në vit kanë përfituar nga përjashtimi, një masë që ishte parashikuar të zgjaste deri në vitin 2029.
Ndryshime në tatimin mbi pagat
Paketa fiskale parashikon gjithashtu rishikimin e fashave të tatimit mbi të ardhurat nga pagat.
Sipas propozimit, do të krijohet një fashë e re me normë tatimore 32% për të ardhurat vjetore mbi 8,04 milionë lekë. Kjo prek individët me paga mujore mbi rreth 700 mijë lekë.
Ndërkohë, për një pjesë të shtresës së mesme parashikohet ulje e barrës tatimore. Pagat mujore mbi 60 mijë deri në 300 mijë lekë propozohet të tatohen me 13%, ndërsa norma prej 23% do të zbatohet për pagat mbi 300 mijë deri në 700 mijë lekë në muaj.
Deri më tani, norma prej 13% zbatohej për pagat nga 60 mijë deri në 200 mijë lekë, ndërsa norma prej 23% aplikohej për pagat mbi 200 mijë lekë.
Dy fashat e tjera mbeten të pandryshuara sipas propozimit: pagat deri në 50 mijë lekë do të vijojnë të jenë të patatuara, ndërsa për pagat deri në 60 mijë lekë do të zbatohet norma 13% vetëm për pjesën e pagës mbi 35 mijë lekë.
Ndryshimet e përmendura janë pjesë e Paketës Fiskale të propozuar dhe pritet të marrin formë përfundimtare pas shqyrtimit nga qeveria dhe miratimit të nevojshëm në Kuvend.