Nëntë persona janë arrestuar dhe dy të tjerë janë proceduar penalisht pas protestës së zhvilluar një ditë më parë në Tiranë. Ndërkohë, 20 persona janë shpallur në kërkim, pasi dyshohet se kanë kundërshtuar dhe sulmuar punonjësit e Policisë me sende të forta dhe lëndë piroteknike, si dhe kanë dëmtuar godina të institucioneve shtetërore.
Sipas njoftimit të Policisë, veprimet janë kryer në vijim të hetimeve të drejtuara nga Prokuroria për dokumentimin e rasteve të evidentuara gjatë tubimit.
Në kuadër të veprimeve procedurale, janë arrestuar shtetasit me inicialet A. K., 27 vjeç, P. L., 45 vjeç, E. B., 21 vjeç, Sh. M., 19 vjeç, O. C., 19 vjeç, Z. M., 25 vjeç, S. H., 20 vjeç, M. L., 23 vjeç, shtetas gjerman, dhe K. M., 20 vjeç.
Gjithashtu, dy persona janë proceduar penalisht, ndërsa 20 të tjerë janë shpallur në kërkim.
Policia bëri të ditur se ka arrestuar edhe shtetasin E. D., 20 vjeç, i cili dyshohet se kishte shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar për veprën penale “Vjedhja”. Ai dyshohet gjithashtu se është përfshirë në veprime të kundërligjshme gjatë tubimit të 24 tetorit 2026.
Ndërkohë, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit K. M., 20 vjeç, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një sasi të lëndës së dyshuar narkotike Cannabis Sativa, në cilësinë e provës materiale.
Njoftimi i plotë:
Kundërshtuan dhe goditën me sende të forta dhe me lëndë piroteknike, punonjësit e Policisë, si dhe dëmtuan godina institucionesh shtetërore, gjatë tubimit të djeshëm, arrestohen 9 shtetas, procedohen penalisht 2 dhe shpallen në kërkim 20 shtetas.
Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera në drejtimin e Prokurorisë, në lidhje me tubimin e djeshëm:
-u arrestuan shtetasit A. K., 27 vjeç, P. L., 45 vjeç, E. B., 21 vjeç, Sh. M., 19 vjeç, O. C., 19 vjeç, Z. M., 25 vjeç, S. H., 20 vjeç, M. L., 23 vjeç (shtetas gjerman), dhe K. M., 20 vjeç;
-u proceduan penalisht 2 shtetas dhe u shpallën në kërkim 20 shtetas.
Gjithashtu, u arrestua shtetasi E. D., 20 vjeç, i cili kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, caktuar për veprën penale “Vjedhja”, dhe dyshohet se është përfshirë në veprime të kundërligjshme gjatë tubimit të datës 24.10.2026.
Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit K. M., 20 vjeç, shërbimet e Policisë gjetën një sasi lënde të dyshuar narkotike Cannabis Sativa, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Policia vijon veprimet hetimore në drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin e plotë të veprimeve të kundërligjshme gjatë tubimeve, identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.