Bojkoti i mësimdhënies në universitetet publike të Shqipërisë vijon edhe këtë të mërkurë, në shenjë solidariteti me studentët që prej ditësh protestojnë në vend.
Kreu i Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë (SPUSH), Aleksandër Kovaçi, deklaroi se bojkoti do të vazhdojë deri në një njoftim të dytë, duke theksuar se një nga kërkesat kryesore të studentëve është dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.
Kovaçi u shpreh se vendimi për bojkot është marrë njëzëri nga kryesia e sindikatës, në mbështetje të studentëve dhe protestave të tyre.
“Studentët protestojnë prej muajsh dhe në përgjigje kanë marrë heshtjen dhe dhunën ekstreme. Nuk mund të vazhdojmë mësimdhënien, teksa studentët dhunohen në rrugë”, deklaroi kreu i sindikatës.
Ai theksoi se pedagogët kërkojnë ndalimin e dhunës ndaj studentëve dhe protestuesve paqësorë, si dhe hetimin e rasteve të përdorimit të forcës dhe vënien para përgjegjësisë të personave që e kanë urdhëruar apo ushtruar atë.
Një tjetër kërkesë e sindikatës është trajtimi dinjitoz dhe në përputhje me ligjin i studentëve të shoqëruar nga policia.
Kovaçi bëri të ditur se bojkoti nuk nënkupton vetëm ndërprerjen e mësimit, por edhe pjesëmarrjen aktive të pedagogëve në protestat e studentëve. Sipas tij, pedagogët do të mblidhen çdo ditë në orën 10:00 përpara Korpusit Qendror të Universitetit Politeknik të Tiranës, për të vijuar mbështetjen ndaj të rinjve.
Ai u bëri thirrje institucioneve drejtuese të universiteteve që të mos marrin masa disiplinore ndaj pedagogëve pjesëmarrës në protesta. Gjithashtu, theksoi se pedagogët do të qëndrojnë pranë studentëve, duke u vënë në dispozicion materiale didaktike dhe duke garantuar se orët e humbura do të kompensohen.
“Do të kthehemi në auditorë sapo studentët të marrin përgjigjen që meritojnë”, u shpreh Kovaçi.
Në përfundim, kreu i sindikatës nënvizoi se kërkesat e studentëve përfshijnë edhe dorëheqjen e kryeministrit, duke ritheksuar mbështetjen e pedagogëve për protestën dhe kërkesat e të rinjve.