Ministria e Shëndetësisë ka përditësuar bilancin e personave të lënduar gjatë protestës së zhvilluar sot në Tiranë. Sipas njoftimit të orës 21:00, në dy spitalet kryesore të kryeqytetit kanë marrë shërbim mjekësor gjithsej 28 persona.
Në Spitalin Universitar të Traumës janë trajtuar 23 të lënduar: 17 efektivë policie, një protestues i mitur, një përfaqësuese e medias dhe katër kalimtarë.
Aktualisht, në urgjencën e këtij spitali vijon të marrë trajtim një efektiv policie, ndërsa përfaqësuesja e medias është shtruar për ekzaminime të mëtejshme. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, gjendja e saj shëndetësore është e mirë.
Ndërkohë, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” janë paraqitur pesë persona të lënduar: dy efektivë policie dhe tre protestues. Vetëm njëri prej efektivëve vijon të marrë shërbim mjekësor në urgjencë, ndërsa të tjerët janë larguar pas marrjes së këshillës mjekësore.
Sipas njoftimit të Ministrisë, nga data 13 tetor e në vijim, numri i personave të shtruar në spital që vijojnë të marrin mjekim ka arritur në 14. Mes tyre janë pesë efektivë policie, katër protestues, katër kalimtarë dhe një përfaqësuese e medias.
Njoftimi:
Njoftimi i plotë
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, informon se gjatë ditës së sotme në Spitalin Universitar të Traumës kanë marrë shërbim mjekësor 23 të lënduar:
17 efektivë policie
1 protestues (i mitur)
1 përfaqësuese e medias
4 kalimtarë
Aktualisht në urgjencën e SUT po merr trajtim 1 efektiv policie, ndërsa përfaqësuesja e medias është shtruar për ekzaminime të mëtejshme, gjendja shëndetësore është e mirë.
Nga data 13 tetor e në vijim, numri i personave të shtruar në spital dhe që vijojnë të marrin mjekim ka arritur në 14: 5 efektivë, 4 protestues, 4 kalimtarë dhe 1 përfaqësuese e medias.
Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” janë paraqitur 5 të lënduar:
2 efektiv policie
3 protestues
Aktualisht, vetëm njëri prej efektivëve vijon të marrë shërbim mjekësor në urgjencë, ndërsa personat e tjerë janë larguar pas marrjes së këshillës mjekësore.
MSHMS shpreh mirënjohjen dhe falënderimin për të gjithë mjekët, infermierët dhe ekipet shëndetësore, të cilët me profesionalizëm, përkushtim dhe përgjegjësi po ofrojnë kujdesin e nevojshëm për çdo të lënduar, ndërsa mbetet e angazhuar në misionin e saj të përhershëm për mbrojtjen e shëndetit dhe jetës së qytetarëve, duke garantuar kujdes shëndetësor me përkushtim, pa dallim dhe në çdo rrethanë.