Situata në qytetin e Lezhës vijon të jetë e tensionuar, teksa të rinjtë janë përplasur disa herë me efektivët e policisë gjatë protestës.
Sipas raportimeve, një person ka humbur ndjenjat në trotuar, ndërsa dy vajza të tjera kanë pësuar dëmtime gjatë përplasjeve me policinë. Protestuesit pretendojnë se janë dhunuar nga efektivët me shkopinj gome.
Gjatë protestës, të rinjtë kanë shkulur kangjellat përgjatë trotuarit dhe kanë dëmtuar sinjalistikën rrugore. Ndërkohë, në hyrje të qytetit, protestuesit kanë ndezur një zjarr të madh, duke bllokuar përkohësisht qarkullimin e automjeteve.
Deri më tani nuk ka informacion të mëtejshëm mbi gjendjen shëndetësore të personave të raportuar të lënduar apo mbi masa të mundshme të marra nga policia.