Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj nuk është paraqitur në seancën e sotme në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), por përfaqësohet nga avokati i tij, Plarent Ndreca.
Mësohet se Veliaj i ka drejtuar gjykatës një letër, ku thekson se do të marrë pjesë në seancë pasi t’i lejohet qëndrimi në sallë dhe jo në kafaz. Po ashtu ai ka denoncuar se ministri i ka ardhur për vizitë me urdhër të Ramës për t’i dhënë disa ultimatume.
“Siç jeni vënë në dijeni nga mediat ditët e fundit, unë jam rrëmbyer nga një togë shoqërimi policësh pa më thënë se ku do më dërgonin, pa dijeninë time, 100 km larg gjykatës ku po gjykohem dhe larg gruas me dy të mitur dhe nënës time pensioniste. Toni Gogu më ka vizituar pas transferimin dhe më ka thënë që kjo ka ndodhur me urdhër personal të kryeministrit Edi Rama. Më ka thënë që prokurorët ishin gati të shtonin akuza deri tek ajo e prishja e rendit kushtetues. Kjo si ndëshkim që kam mbështetur protestën e flamingove dhe studentëve, por kjo është e vërtetë aq sa është i vërtetë kallëzimi i Nesti Angonit dhe Nasta Pëllumbit. Kërkoj nga gjykata të marrë masat e duhura për ta verifikuar këtë që ka ndodhur”, thuhet në letrën e Veliaj.

