Sot nis zyrtarisht viti i ri akademik 2026–2027 në Shqipëri. Mijëra studentë dhe pedagogë rikthehen në auditore, duke çelur një tjetër vit të arsimit të lartë në universitetet publike dhe private në vend.
Sipas urdhrit të Ministrisë së Arsimit, viti akademik 2026–2027 nis më 5 tetor 2026 dhe përfundon më 24 shtator 2027.
Institucionet e arsimit të lartë kanë përmbyllur përgatitjet për nisjen e procesit mësimor, ndërsa studentët kanë vijuar regjistrimet dhe procedurat përkatëse pranë universiteteve.
Sipas të dhënave, në të gjithë vendin janë rreth 120 mijë studentë, ndërsa rreth 20 mijë prej tyre janë studentë të vitit të parë.
Për mijëra të rinj, ky 5 tetor shënon nisjen e një kapitulli të ri akademik, veçanërisht për studentët që ulen për herë të parë në auditoret universitare.