Një aksident i rëndë rrugor i ndodhur në Mëngël të Elbasanit ka përfunduar me pasoja fatale. Selman Bardhi, i moshuari që u përplas nga një automjet mbrëmjen e kaluar në zonën e ish-Parkut të Rezervave të Shtetit, ka ndërruar jetë në spital, pasi nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra.
Bardhi ishte duke lëvizur në këmbë në momentin kur u godit nga automjeti. Pas përplasjes, drejtuesi i mjetit u largua nga vendi i ngjarjes, pa i dhënë ndihmën e nevojshme të moshuarit.
I plagosuri u transportua me urgjencë në spital në gjendje kritike, por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ndërroi jetë për shkak të dëmtimeve të rënda.
Ndërkohë, Policia e Elbasanit ka ngritur një grup të posaçëm hetimor dhe po vijon kërkimet për identifikimin dhe kapjen e drejtuesit të automjetit, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.