Justina Shiroka-Pula u zgjodh presidente e Kosovës me 81 vota, duke pasuar Vjosa Osmanin dhe duke i dhënë fund krizës politike që përfshiu për më shumë se një vit e gjysmë shtetin më të ri të Ballkanit dhe Evropës.
Shiroka-Pula u propozua në çastet e fundit të afatit për zgjedhjen e presidentit të ri nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndërsa kandidatura e saj u pranua nga kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza.
Pas një dite me ngecje dhe mungesë komunikimi të drejtpërdrejtë, Kurti dhe Hamza u pajtuan në fund për emrin e Shiroka-Pulës, e cila u zgjodh zyrtarisht presidente 13 minuta pas përfundimit të afatit kushtetues, duke ngritur pikëpyetje të mundshme ligjore.
Pas zgjedhjes, Justina Shiroka-Pula tha se e pranon “me përgjegjësi” detyrën e re. Ajo u zotua se do të jetë presidente e të gjithë qytetarëve dhe se do të mbrojë Kushtetutën, interesin e Republikës dhe interesat e qytetarëve të Kosovës.
“E pranoj me nder e përgjegjësi detyrën e Presidentes së Kosovës. Ky mandat nuk i përket vetëm një personi, por qytetarëve tanë, institucioneve tona dhe shtetit për të cilin shumë breza sakrifikuan. Do të jem presidente e të gjithë qytetarëve. Do të punoj për unitet dhe forcimin e institucioneve tona. Kosova do të duhet të ecë përpara e sigurt, me orientim të qartë euroatlantik. Do të mbroj Kushtetutën, interesin e Republikës dhe dinjitetin e qytetarëve tanë”, tha ajo në fjalimin e saj para deputetëve.
Ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një postim në rrjetet sociale shkroi se, me zgjedhjen e Shiroka-Pulës si presidente, Kosova ka tashmë institucione stabile, ndërsa shtoi se do të vijojnë punën për ish-krerët e UÇK-së.
“Republika ka presidente të re, profesoreshën Justina Shiroka-Pula, Kosova ka institucione stabile. Kemi edhe ligjin me ndryshime për Dhomat dhe Prokurorinë e Specializuar në Hagë dhe do të punojmë bashkë për suksesin e ish-krerëve të UÇK-së në apel. Falënderoj deputetët pjesëmarrës në votim, sikurse edhe kryetarin Hamza që pranoi propozimin. Shumë mund e përpjekje, për kompromisin në fund. Për Republikën e Kosovës! Urime presidentes së re dhe të gjithë qytetarëve”, shkroi Kurti.
Po ashtu, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, përshëndeti zgjedhjen e Justina Shiroka-Pulës presidente të Kosovës. Ai tha se Shiroka-Pula është “një përfaqësuese e denjë për pozitën e presidentes” dhe i garantoi bashkëpunimin në emër të PDK-së.
“Është mirë që vendi do të ketë stabilitet politik dhe institucional”, tha Hamza.
Reagimet nga Shqipëria

Pas zgjedhjes së Shiroka-Pulës, kryeministri Edi Rama ka uruar presidenten e re të Kosovës. Në një reagim në rrjetin social X, kryeministri shkroi se zgjedhja e saj si presidente vjen në një kohë sfiduese për Kosovën, rajonin, por edhe vetë Evropën.
“Urime të përzemërta akademikes së mirënjohur, zonjës Justina Shiroka-Pula, për zgjedhjen Presidente e Republikës së Kosovës, në një fazë sfiduese për Kosovën dhe në një kohë sfiduese për krejt rajonin tonë e për vetë Europën. Mbarësi e sukses për ju dhe Kosovën, zonja Presidente”, shkroi Rama.
Ndërsa një mesazh urimi ka ardhur edhe nga Presidenti Bajram Begaj, i cili i përcolli urimet e tij presidentes së re, ndërsa theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kosovës në rrugëtimin drejt së ardhmes evropiane.
Kreu i Shtetit shqiptar nënvizoi se dy vendet do të vijojnë të jenë së bashku përballë sfidave dhe në procesin e integrimit evropian.
“Urime të përzemërta znj. Justina Shiroka-Pula për zgjedhjen Presidente e Republikës së Kosovës! Në çdo sfidë dhe në çdo hap drejt së ardhmes evropiane, Shqipëria dhe Kosova do të jenë bashkë. Urime Presidente! Zoti e bekoftë Kosovën dhe shqiptarët kudo ku janë”, shkroi Begaj.
Kush është Shiroka Pula?
Shiroka Pula është ekonomiste dhe akademike, gruaja e parë që udhëheq Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK), institucion i themeluar më 1975.
Shkollimin fillor dhe të mesëm e përfundoi në Prishtinë, ku më 1976 diplomoi në Fakultetin Ekonomik. Studimet pasuniversitare në fushën e teorisë dhe politikës së zhvillimit ekonomik i përfundoi më 1984 në Zagreb, ndërsa doktoroi në Universitetin e Prishtinës me tezën “Investimet demografike dhe zhvillimi ekonomik i Kosovës”.
Shiroka Pula ka punuar në Bankën Popullore të Kosovës, ndërsa më 1978 nisi karrierën si ligjëruese në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës.
Sipas biografisë së saj në ASHAK, ajo ka ndjekur edhe studime pasdoktorale në Universitetin e Lincit në Austri dhe në Universitetin e Arizonës në Shtetet e Bashkuara.
Nga viti 2008 deri më 2011, ajo ishte ministre e Energjisë dhe Minierave nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ndërsa nga viti 2011 deri më 2014 ishte deputete e kësaj partie në Kuvendin e Kosovës
Pas luftës, ajo u angazhua edhe në shoqërinë civile, veçanërisht në fuqizimin e grave, barazinë gjinore dhe zhvillimin e bizneseve dhe ndërmarrësisë.