Një aksident tragjik ka ndodhur mbrëmjen e së hënës, më 16 nëntor, në Casteggio, në provincën e Pavias në Itali, ku një 20-vjeçar me origjinë moldave ka humbur jetën pasi është përplasur nga një tren.
Viktima është identifikuar si Ian Iavochi, i cili ishte larguar nga banesa rreth orës 18:00 për të blerë disa patatina në një lokal pranë shtëpisë. I riu kishte premtuar se do të kthehej menjëherë, por kjo rezultoi të ishte dalja e tij e fundit.
Sipas rindërtimit paraprak të ngjarjes nga mediat italiane, 20-vjeçari dyshohet se ka tentuar të shkurtojë rrugën drejt banesës, duke kaluar pranë shinave hekurudhore. Në atë moment, ai nuk ka vënë re afrimin e trenit, i cili e ka përplasur për vdekje.
Ekipet e emergjencës mbërritën me shpejtësi në vendngjarje, por për të riun nuk kishte më asgjë për të bërë. Bashkëshortja e tij, e cila është shtatzënë në muajin e shtatë, doli nga banesa pasi dëgjoi sirenat e mjeteve të urgjencës. Kur mbërriti në vendin e aksidentit dhe mësoi se viktima ishte bashkëshorti i saj, ajo pësoi gjendje të fikëti.
Në vendngjarje ndërhynë karabinierët e Vogherës dhe Policia Hekurudhore, të cilët po punojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e aksidentit.
Ngjarja ka lënë pas një tragjedi të rëndë familjare. 20-vjeçari humbi jetën vetëm pak muaj para se të bëhej baba për herë të parë, ndërsa bashkëshortja e tij tashmë përballet me humbjen e partnerit në pritje të fëmijës së tyre.