Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm ka dhënë vendimin për Ilir Beqarajn, i akuzuar për përfshirje në vrasjen e Gentian Bejtjes, ngjarje e ndodhur më 15 mars 2024 në Larushk të Fushë-Krujës.
Trupi gjykues, me relator Ardit Mustafain dhe anëtare Miranda Andonin dhe Brikena Ukperajn, e ka dënuar Beqarajn me 20 vite burg. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi përfundimtar është ulur në 12 vite e 8 muaj heqje lirie.
Në shkallën e parë, Beqaraj ishte dënuar me 24 vite burg, çka do të thotë se vendimi i Apelit sjell një ulje të mëtejshme të dënimit.
Sipas hetimeve të Prokurorisë, Beqaraj, i njohur edhe me mbiemrat Brahimi dhe Mançellari, dyshohet se ka pasur rolin e ndihmësit në atentat.
Ai akuzohet se ka transportuar katër autorët e dyshuar pasi këta dogjën automjetin tip “Land Rover Discovery”, të përdorur në vrasje, në fshatin Hasan. Më pas, sipas hetimeve, ai i ka larguar me një automjet tip “Golf 7” në drejtim të Bubqit.
Përveç Beqarajt, në dosjen e vrasjes së Gentian Bejtjes janë përfshirë edhe persona të tjerë.
Flodian Plaku, i njohur edhe me mbiemrat Mamo dhe Serjani dhe me nofkën “Pole Qorri”, dyshohet nga Prokuroria si një prej personave që morën pjesë drejtpërdrejt në ekzekutimin e Bejtjes. Ai akuzohet për vrasje me paramendim, kryer në bashkëpunim, si dhe për prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municionit. Plaku u arrestua në Orikum më 3 gusht 2025, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Një tjetër person i hetuar është Edison Haxhiu, i cili dyshohej se kishte bashkëpunuar me Beqarajn për sigurimin e kushteve dhe mjeteve për kryerjen e atentatit. Në korrik 2025, Gjykata e Tiranës vendosi shuarjen e masës së arrestit dhe lirimin e tij nga burgu për shkak të përfundimit të afateve të paraburgimit.
Rrethanat e ngjarjes dhe përgjegjësia e personave të përfshirë do të vlerësohen në përputhje me vendimet dhe procedurat përkatëse gjyqësore.