Një grup të rinjsh, përfaqësues të studentëve protestues depozituan në Gjykatën Kushtetuese ankimin e tyre për 3 VKM të qeverisë, që sipas tyre, cenojnë të drejtat dhe liritë e tyre.
Në një komunikim për mediat, ata thanë se kërkojnë nga Gjykata Kushtetuese që të pezullohet zbatimi i dispozitës. Sipas tyre këto tre akte të ndryshme kanë një mesazh të përbashkët, kush ngre zërin kundër pushtetit duhet të ketë frikë.
Në fokus të kërkesave janë kufizimet për protestat pranë institucioneve dhe zonave të mbrojtura, përgjegjësia e organizatorëve për dëmet gjatë tubimeve, si dhe krijimi i një regjistri policor për personat që u ndalohet dalja jashtë vendit pa vendim gjykate.
“Tre akte të ndryshme, me një mesazh të përbashkët: kush ngre zërin kundër pushtetit, duhet të ketë frikë nga pasojat. Qeveria thotë se me këtë paketë “protesta paqësore mbrohet” dhe se “përgjegjësia është gjithnjë vetjake”, paketa “antidhunë” ndëshkon edhe ata që nuk kanë ushtruar dhunë”, tha njëri prej studentëve.
Ndërsa një studente tjetër argumentoi se të protestosh nuk është faj dhe se ata që protestojnë nuk mund të trajtohen si armiq.
“Për këtë arsye, kërkojmë që Gjykata Kushtetuese t’i shqyrtojë ankimet me përparësi. I kërkojmë gjithashtu që, deri në vendimin përfundimtar, të pezullojë zbatimin e dispozitave për të cilat kemi kërkuar pezullim. Edhe nëse Kuvendi i miraton aktet normative, ankimet nuk mbeten pa objekt, i kemi kërkuar Gjykatës ta shtrijë kontrollin edhe te ligji miratues. Një brez i tërë të rinjsh po e nis jetën përballë një shteti që, në vend që t’u garantojë hapësirë për debat, kundërshtim e pjesëmarrje demokratike, u përgjigjet me dhunë e frikë. Nuk duam të rritemi duke mësuar se të kundërshtosh pushtetin është faj dhe se pjesëmarrja në protestë është arsye për t’u trajtuar si armik”.