Greqia është përfshirë në valën e kërcënimeve për bomba ndaj avionëve të pasagjerëve, që ka prekur disa vende europiane ditët e fundit.
Dy avionë të kompanisë greke Aegean Airlines, njëri në linjën Athinë–Vjenë dhe tjetri në linjën Selanik–Milano, u vunë në alarm pas telefonatave që paralajmëronin për bomba në bord.
Të dy avionët vijuan fluturimin drejt destinacioneve përkatëse dhe u ulën në mënyrë të sigurt. Pas uljes, pasagjerët dhe ekuipazhet u evakuuan, ndërsa autoritetet nisën kontrollet për të verifikuar nëse kishte lëndë shpërthyese.
Incidentet në Greqi vijnë pas një serie kërcënimesh të ngjashme në disa vende të Europës. Vetëm të martën, të paktën shtatë avionë dhe një anije turistike në pronësi të një kompanie greke u përballën me alarme për bomba.
Nga kontrollet e kryera deri më tani nuk është gjetur asgjë e dyshimtë. Autoritetet po hetojnë nëse kërcënimet kanë lidhje me njëri-tjetrin.
Ndërkohë, në mediat greke janë ngritur dyshime për një përfshirje të mundshme të hakerave nga Rusia dhe Irani, por deri më tani nuk ka konfirmim zyrtar për autorët apo origjinën e kërcënimeve.