Qeveria shqiptare ka shtyrë sërish nisjen e aktivitetit të basteve sportive online, pavarësisht se kuadri ligjor dhe aktet nënligjore janë përfunduar. Ministri i Financave, Petrit Malaj, deklaroi se ligji po rishikohet për të forcuar mbikëqyrjen dhe për të shmangur problematikat sociale.
Gjatë një mbledhjeje të Komisionit të Ekonomisë, Malaj bëri të ditur se operimi i lojërave të fatit online do të nisë vetëm pasi të përfundojë procesi i rishikimit të ligjit.
“Ne kemi mbaruar të gjithë kuadrin ligjor sa i përket basteve online, VKM-të respektive. Qeveria po e rishikon edhe një herë ligjin për të pasur një mbikëqyrje të kujdesshme për të mos pasur probleme sociale. Pasi të mbarojë rishikimi i ligjit aktual do të fillojë operimi i lojërave të fatit”, deklaroi ministri.
Deputeti demokrat Igli Cara kritikoi mënyrën se si është menaxhuar çështja e basteve online, duke pretenduar se aktiviteti ka vijuar në informalitet dhe se shteti nuk ka përfituar të ardhura nga ky sektor.
“Prej 7 vitesh në buxhet të shtetit nga bastet nuk ka fituar, nuk i keni të ligjëruara, dhe sot është plotësisht informal dhe të gjithë këtë faturë po ia faturoni biznesit të ndershëm”, u shpreh Cara.
Kuadri ligjor për bastet sportive online u plotësua me aktet nënligjore në shkurt të vitit 2024, rreth 28 muaj pas miratimit të ligjit. Megjithatë, deri më tani nuk është hapur procesi i konkurrimit për dhënien e licencave.
Ligji parashikon dhënien e 10 licencave dhe lejon zhvillimin e aktivitetit vetëm përmes platformave online, me identifikimin e përdoruesve nëpërmjet kartës së identitetit.
Pikat fizike të basteve sportive u mbyllën më 1 janar 2019. Rishikimi i paralajmëruar i ligjit shtyn më tej nisjen e aktivitetit online, ndërsa mbetet për t’u parë se çfarë ndryshimesh do të propozojë qeveria.