Qeveria spanjolle ka shpallur ditët 29, 30 dhe 31 tetor si ditë zie kombëtare, në nderim të viktimave të aksidentit të rëndë hekurudhor në Urda të Toledos.
Kryeministri Pedro Sánchez, gjatë një deklarate nga vendi i ngjarjes, premtoi se autoritetet do të hetojnë deri në fund shkaqet e tragjedisë. Ai e cilësoi të papranueshme që Spanja të përballet me dy ngjarje tragjike të përmasave të tilla brenda një viti, duke theksuar se përgjegjësit do të mbajnë përgjegjësi nëse zbulohen shkelje të rregullave të sigurisë apo neglizhencë institucionale.
Në shenjë respekti për viktimat dhe solidariteti me familjet e tyre, Mbreti Felipe VI ka anuluar angazhimet zyrtare deri të enjten. Edhe partitë politike kanë pezulluar aktivitetet publike, ndërsa vendi është përfshirë nga një atmosferë zie.
Ndërkohë, ekipet e emergjencës vijojnë operacionet në terren, ndërsa hetuesit po punojnë për të përcaktuar shkaqet e aksidentit dhe për të sqaruar nëse në ngjarje kanë ndikuar faktorë teknikë apo gabime njerëzore.