Protestat e dhunshme në Tiranë kanë tërhequr vëmendjen e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri. Ambasadori Michel Tarran, gjatë pjesëmarrjes në tryezën e diskutimit “Demokracia Vendore: Sa afër janë bashkitë me qytetarët?”, në Elbasan, theksoi rëndësinë e hapjes së kanaleve të komunikimit mes institucioneve dhe shoqërisë.
Diplomati u ndal te ajo që e cilësoi si mungesë komunikimi me qytetarët gjatë muajve të fundit, duke nënvizuar se pjesëmarrja publike duhet të jetë e vazhdueshme dhe jo e kufizuar vetëm në periudhat zgjedhore.
“Duke parë rrethanat aktuale, lind pyetja nëse është momenti i duhur për këtë forum, por ne jemi këtu pikërisht për të ndërtuar ura dialogu. Ajo që kam vënë re muajt e fundit është një deficit komunikimi, ku mendimi i qytetarëve është anashkaluar. Qytetarët duhet të ndiejnë mbështetje. Prania ime këtu synon t’u bëjë të qartë të gjithëve, e sidomos të rinjve, se demokracia nuk është një akt që konsumohet vetëm një herë në katër vjet te kutitë e votimit, por një mundësi e përditshme për të ndikuar në vendimmarrje”, u shpreh Tarran.
Duke iu referuar përplasjeve të regjistruara në kryeqytet gjatë javëve të fundit, ambasadori i OSBE-së shprehu shqetësimin për përshkallëzimin e situatës dhe dënoi aktet e dhunshme.
“Jam i mendimit se aktet e dhunshme mbeten të papajtueshme me parimet e një shteti demokratik. Shprehim keqardhjen e thellë për serinë e incidenteve të dhunshme që kanë përfshirë Tiranën gjatë javëve të fundit”, deklaroi ai.