Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu përballet me një garë të rëndësishme politike në zgjedhjet parlamentare të së martës, ndërsa votuesit vlerësojnë drejtimin e tij pas sulmeve të udhëhequra nga Hamasi më 7 tetor 2023, luftës në Gaza, përplasjes ushtarake me Iranin dhe izolimit ndërkombëtar në rritje të Izraelit.
Megjithatë, Netanyahu, i cili ka drejtuar vendin për gjithsej 19 vjet, mbetet një figurë me ndikim të madh në politikën izraelite. Forcimi i qëndrimeve nacionaliste dhe sistemi i fragmentuar politik mund t’i krijojnë mundësi për të siguruar sërish shumicën parlamentare.
Sondazhet e opinionit tregojnë një garë të ngushtë mes partisë së tij, Likud, dhe aleatëve të krahut të djathtë, nga njëra anë, dhe një aleance rivale të drejtuar nga Gadi Eisenkot, ish-shef i shtabit të ushtrisë izraelite dhe politikan i profilit të sigurisë, i cili gëzon mbështetje si në të djathtë, ashtu edhe në qendër.
Qendrat e votimit u hapën në orën 07:00 dhe pritet të mbyllen në orën 22:00 sipas orës lokale. Komiteti Qendror i Zgjedhjeve në Izrael ka bërë të ditur se rreth 7,3 milionë qytetarë kanë të drejtë vote, mes tyre rreth 330 mijë që votojnë për herë të parë.
Netanyahu mbështetet te lidershipi në kohë lufte dhe aleanca me Trump
Gjatë fushatës, Netanyahu ka vënë në qendër të mesazhit të tij drejtimin e vendit gjatë luftërave dhe marrëdhëniet me presidentin amerikan Donald Trump, i cili e ka mbështetur kryeministrin izraelit dhe ka bashkëpunuar me Izraelin në luftën kundër Iranit.
Të dielën, Netanyahu deklaroi se Trump ishte i gatshëm të ndërhynte sërish për të eliminuar, sipas tij, “përfundimisht” kërcënimin iranian, por la të kuptohej se kjo do të varej edhe nga vazhdimi i tij në pushtet.
Nga ana tjetër, Eisenkot e ka akuzuar Netanyahun se po mbështetet te frikësimi dhe dezinformimi gjatë fushatës.
“Është mbështetur në një fushatë frikësimi, gënjeshtrash dhe kërcënimesh”, ka deklaruar Eisenkot, duke shprehur bindjen se Trump do të bashkëpunonte me çdo udhëheqës të zgjedhur nga populli izraelit.
Netanyahu mund të kërkojë sërish mbështetjen e politikanëve të ekstremit të djathtë Itamar Ben-Gvir dhe Bezalel Smotrich për të formuar qeverinë. Të dy janë përballur me sanksione nga disa vende perëndimore, të cilat i akuzojnë për nxitje të dhunës kundër palestinezëve. Ndërkohë, partia e Ben-Gvir, Fuqia Hebraike, ka shënuar rritje në disa sondazhe.
Megjithatë, as Netanyahu dhe as Eisenkot nuk kanë një rrugë të sigurt drejt shumicës. Nëse asnjëri nuk arrin të formojë një koalicion në parlamentin me 120 vende, Netanyahu mund të vijojë të qëndrojë në detyrë si kryeministër në detyrë, deri në zhvillimin e zgjedhjeve të tjera.
Bilanci i 7 tetorit dhe përgjegjësia për dështimet e sigurisë
Zgjedhjet zhvillohen pas një prej periudhave më të trazuara të Izraelit që nga themelimi i shtetit në vitin 1948. Sulmet e Hamasit më 7 tetor 2023, ofensiva ushtarake izraelite në Gaza dhe ndarjet e thella brenda vendit kanë dominuar debatin politik.
Për shumë kundërshtarë të Netanyahut, votimi është gjithashtu një mënyrë për të kërkuar përgjegjësi për dështimet e sigurisë që paraprinë sulmet e 7 tetorit, ditën më vdekjeprurëse për Izraelin.
Mali Hajaj, punonjës i Ministrisë së Arsimit dhe mbështetës i Eisenkotit, tha se vendi ka nevojë për një hetim kombëtar.
“Gjëja më e rëndësishme është ngritja e një hetimi kombëtar, sepse prej andej do të vijë shërimi ynë”, u shpreh ai.
Ndërkohë, Lisa Tortor tha se shpresonte që Netanyahu të largohej nga pushteti, në mënyrë që të formohej një qeveri e re dhe të riparohej dëmi që, sipas saj, ai i ka shkaktuar komunitetit hebre në mbarë botën dhe imazhit ndërkombëtar të Izraelit. “Bibi” është nofka me të cilën njihet Netanyahu.
Në krahun tjetër, Nof Gabay, një 18-vjeçar që mbështet Likudin, kundërshtoi idenë se Netanyahu duhet të mbahet përgjegjës për sulmet e 7 tetorit.
“Netanyahu e menaxhoi luftën në mënyrën më të mirë të mundshme”, deklaroi ai, duke e cilësuar kryeministrin si personin e duhur për të drejtuar Izraelin.
Luftërat në Gaza, Liban dhe Iran
Pas sulmeve të 7 tetorit 2023, në të cilat militantët e udhëhequr nga Hamasi vranë rreth 1 200 persona dhe morën peng 251 të tjerë, Izraeli nisi një ofensivë të gjerë ushtarake në Gaza, duke shkatërruar pjesën më të madhe të territorit.
Sipas autoriteteve shëndetësore në Gaza, sulmet izraelite kanë shkaktuar rreth 74 mijë viktima.
Izraeli ka zhvilluar gjithashtu operacione ushtarake kundër Hezbollahut, grupit të mbështetur nga Irani në Liban, si dhe ka shkëmbyer sulme ajrore me Teheranin. Këto zhvillime u pasuan nga një fushatë ajrore 12-ditore kundër objekteve bërthamore iraniane në vitin 2025 dhe nga lufta e përbashkët SHBA-Izrael kundër Iranit këtë vit.
Eisenkot ka deklaruar se qeveria e ardhshme duhet të parandalojë Iranin nga zhvillimi i armëve bërthamore, qoftë përmes forcës ushtarake, qoftë përmes një marrëveshjeje diplomatike të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara.
Matematika e koalicioneve
Ashtu si shumica e partive izraelite të udhëhequra nga hebrenjtë, edhe aleanca e Eisenkotit kundërshton zgjidhjen me dy shtete, e cila për dekada ka qenë baza e përpjekjeve ndërkombëtare për paqe mes izraelitëve dhe palestinezëve.
Megjithatë, Eisenkot ka kritikuar dhunën e kolonëve hebrenj kundër palestinezëve në Bregun Perëndimor të pushtuar, e cila është shtuar që nga viti 2023 dhe ka tensionuar marrëdhëniet e Izraelit me vendet perëndimore. Ai kundërshton gjithashtu përfshirjen e Ben-Gvir dhe Smotrich në një qeveri të ardhshme.
Në disa zona ku Likudi ka pasur tradicionalisht mbështetje të fortë, votues të pakënaqur kanë nisur fushata derë më derë për të bindur qytetarët që të mos votojnë për Netanyahun. Një pjesë e votuesve janë distancuar prej tij edhe për shkak të akuzave për korrupsion, të cilat ai i mohon në kuadër të një procesi të gjatë penal.
Një pjesëmarrje e lartë e qytetarëve arabë të Izraelit, të cilët kanë shtetësi izraelite dhe identitet palestinez, mund të ndikojë në shpërndarjen e mandateve dhe në mundësitë për formimin e koalicionit qeverisës.
Megjithëse Eisenkot ka përjashtuar një partneritet të drejtpërdrejtë me partitë arabe, duke përmendur mungesën e vlerave të përbashkëta, analistët shohin mundësinë që këto parti të mbështesin një qeveri të pakicës të drejtuar prej tij, me synimin për t’i dhënë fund qeverisjes së Netanyahut.
“Pres që të kemi vetëm një shumicë të vogël në të dyja rastet. Asnjë fitore dërrmuese”, tha analisti politik izraelit Amotz Asa-El, nga Instituti Shalom Hartman.