Zyrtarët e administratës Trump thonë se mund të propozojnë ish-kryeministrin hungarez Viktor Orbán për sekretar të përgjithshëm të OKB-së. Ky raport vjen nga Wall Street Journal, I cili mbështetet në burime nga tre shtete, që kanë rënë dakord me kandidaturën e Orban; SHBA-ja, Rusia dhe Kina.
Në artikullin e saj, gazeta amerikane thekson se asgjë nuk është konfirmuar dhe zgjedhja e tij mbetet e pasigurt. Artikulli shpreh se Orbán mund të jetë një kandidat i përbashkët amerikan, rus dhe kinez, dhe se burime në të tre vendet kanë konfirmuar se administrata Trump po e mbështet kandidaturën e tij.
Sipas një zyrtari nga DASH, qëllimi është që Rusia, Kina dhe SHBA të kenë një kandidaturë të përbashkët që mund të sigurojë arritjen e përfundimit sipas dëshirës së tyre.
Mandati i dytë pesëvjeçar i sekretarit të përgjithshëm aktual, António Guterres, përfundon më 31 dhjetor. Një kandidat duhet të sigurojë mbështetjen e të paktën nëntë prej 15 anëtarëve të Këshillit të Sigurimit. Por secili nga 5 anëtarët e përhershëm mund të vërë veton ndaj nominimit. Përveç SHBA-së, Rusisë dhe Kinës, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar janë gjithashtu anëtarë të përhershëm.
Orbán humbi zgjedhjet parlamentare të Hungarisë në prill, kur partia e Péter Magyar e mundi atë pas 16 vitesh qeverisje me një shumicë absolute.