Shefja e Shërbimit të Okulistikës në QSUT, Vilma Mema, ka dhënë detaje të reja mbi gjendjen shëndetësore të 28-vjeçarit Erjon Vishkulli, i cili u plagos në sy nga një plumb gome gjatë protestës në Tiranë. Pas konsultës me ekipin mjekësor, janë konstatuar shenja pozitive dhe gjendja e tij paraqitet më e stabilizuar. Për vijimin e trajtimit, është vendosur që ai të kryejë një ndërhyrje të dytë në një klinikë të specializuar në Itali.
Në një deklaratë për mediat, prof. Vilma Mema bëri të ditur se vlerësimi i gjendjes së të riut u krye në bashkëpunim me mjekët e Spitalit të Traumës dhe ekipin e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
Sipas saj, konsultimi i përbashkët ka evidentuar disa shenja pozitive, ndërsa stafi mjekësor ka arritur në përfundimin se nevojitet një ndërhyrje e dytë për heqjen e trupit të huaj nga syri i dëmtuar.
Mema sqaroi se ndërhyrja për heqjen e trupit të huaj mund të kryhet edhe në QSUT, por është vendosur që trajtimi të vijojë në një klinikë të specializuar në Itali, me synimin për të përfituar nga ekspertiza më e specializuar dhe për të rritur mundësitë për një rezultat sa më të mirë.
Ajo bëri të ditur gjithashtu se është kontaktuar Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, e cila është vënë në dispozicion për organizimin e transportit të pacientit drejt Italisë.
Sa i përket gjendjes së shikimit, shefja e Okulistikës theksoi se ndërhyrja e parë është kryer në Spitalin e Traumës, sipas protokolleve mjekësore. Megjithatë, prognoza për syrin e dëmtuar nuk është përcaktuar ende përfundimisht. Vlerësimi do të vijojë pas ndërhyrjes së dytë dhe në varësi të ecurisë së gjendjes së pacientit gjatë ditëve në vijim.
Mema: Do të paraqes shkurt situatën që kemi konstatuar sot me mjekët e spitalit të Traumës, me Dr. Elvis Veli, shefi i sherbimit te ORL, Okulistike dhe Kirurgji Maksilofaciale që kreu dje operacionin dhe mjekët e shërbimit Universitar “Nënë Tereza” në QSUT. Fatmirësisht sot kemi disa shenja pozitive, pas konsultës me stafin e gjerë të kryer dhe situata duke më e stabilizuar. Stafi ka arritur në përfundimin se duhet të kryhet edhe një ndërhyrje e dytë, me heqjen e trupit të huaj, ndërhyrje e cilat kryhet në QSUT por për një ekspertizë më të mirë dhe të detajuar, dhe një rezultat më të mirë të 28 vjeçarit, kemi bërë një bashkëpunim me një klinikë të specializuar në Itali.
Kemi kontaktuar me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale të cilët janë vënë në dispozicion për transportin e pacientit sot dhe duke qenë në bashkëpunim me mjekun dhe stafin atje për të gjithë ecurinë në të ardhmen.
Sa i përket shikimit, është kryer ndërhyrja e parë brenda gjithë protokolleve në mënyrë korrekte nga Trauma dhe më pas pritet një ndërhyrje më e specializuar duke parë hap pas hapi se si do të jetë gjendja e syrit. Kjo do duket në ditët në vazhdim.