Një 31-vjeçar është arrestuar në flagrancë nga policia, pasi dyshohet se po transportonte lëndë narkotike nga Tirana drejt Mamurrasit, me qëllim shitjen e saj. Gjatë kontrollit të taksisë me të cilën udhëtonte, efektivët gjetën dhe sekuestruan 126 doza të dyshuara kokaine, me peshë totale rreth 109 gramë.
I arrestuari, me inicialet S. S., ka lindur në Sarandë dhe banon në Tiranë. Operacioni policor për kapjen e tij u kodua “Destinacioni”.
Sipas policisë, pas marrjes së informacionit për lëvizjen e 31-vjeçarit, u organizua operacioni për ndalimin e tij. Automjeti taksi u ndalua në aksin e vjetër Mamurras–Thumanë, në kryqëzimin e Fushë-Mamurrasit.
Gjatë kontrollit të automjetit, efektivët zbuluan 126 dozat e lëndës së dyshuar narkotike, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Njoftimi i plotë:
Lezhë/Finalizohet operacioni policor antidrogë i koduar “Destinacioni”
Me taksi nga Tirana drejt Mamurrasit për të shitur lëndë narkotike, arrestohet në flagrancë 31-vjeçari.
Sekuestrohen 126 doza me lëndë të dyshuar narkotike kokainë, me peshë rreth 109 gramë.
Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Seksionin për Mbështetjen Operacionale të Hetimit, finalizoi operacionin policor të koduar “Destinacioni”.
Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi S. S., 31 vjeç, lindur në Sarandë dhe banues në Tiranë.
Ky shtetas do të udhëtonte me një automjet taksi nga Tirana në drejtim të qytetit të Mamurrasit, për të shitur lëndë narkotike.
Pas marrjes së informacionit, u organizuan shërbimet dhe, në aksin e vjetër Mamurras–Thumanë, në vendin e quajtur kryqëzimi i Fushë-Mamurrasit, u konstatua dhe u ndalua automjeti taksi me drejtues shtetasin S. S.
Gjatë kontrollit në automjet, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 126 doza me lëndë të dyshuar narkotike kokainë, me peshë rreth 109 gramë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.