Në vigjilje të festës së Zojës së Shkodrës, arqipeshkëvi Giovanni Peragine ka reaguar për protestat që po zhvillohen në vend, duke i bërë thirrje qeverisë të dëgjojë qytetarët dhe të marrë vendime konkrete për t’iu përgjigjur pakënaqësisë shoqërore.
Në mesazhin e tij, Peragine theksoi se protestat e muajve të fundit dëshmojnë një pakënaqësi të thellë që nuk mund të shpërfillet. Ai dënoi dhunën, por nënvizoi se autoritetet kanë përgjegjësinë të hapin rrugën për dialog dhe të trajtojnë shkaqet e pakënaqësisë.
Sipas tij, përgjegjësia e qeverisë duhet të matet me vendime konkrete dhe, kur e kërkon e mira e vendit, edhe me marrjen e vendimeve të vështira.
“Shqipëria nuk meriton të përjetojë sërish plagët e rënda të së kaluarës së saj”, u shpreh arqipeshkëvi.
Peragine përcolli gjithashtu një mesazh për Shkodrën, duke theksuar se qyteti u përket të gjithë qytetarëve dhe nuk duhet të jetë pronë e askujt. Ai nënvizoi rëndësinë e përgjegjësisë së përbashkët, solidaritetit dhe respektit, duke shtuar se qyteti ndërtohet çdo ditë përmes familjeve, shkollave, vendeve të punës dhe shoqërisë civile.
Në përfundim, ai bëri thirrje për më shumë drejtësi, barazi dhe dialog, si rrugë për të ndërtuar një shoqëri ku askush të mos ndihet i përjashtuar.