Forumi i Dialogut Politik ka rikthyer takimet, ndërsa një prej përfaqësueve të tij Ermal Hasimja ka paraqitur propozimet për opozitën, sistemin zgjedhor dhe mënyrën se si forcat opozitare duhet të bashkëpunojnë për zgjedhjet e ardhshme.
Hasimja tha se opozita duhet të këmbëngulë për një sistem proporcional kombëtar, me koalicione parazgjedhore dhe një Kuvend me 140 deputetë. Ai propozoi se opozita duhet të dalë me një kandidat të përbashkët, madje kjo sipas tij duhet të diskutohet edhe për Këshillat Bashkiak.
“Ne propozojmë këmbënguljen e opozitës dhe respektimin e angazhimit që ajo ka marrë në raport me formimin, për një sistem proporcional kombëtar me koalicione parazgjedhore dhe me një kuvend 140 deputetët. Kërkesën për zbatimin e balotazhit është një ide shumë e drejtë. Do të duhet të ketë një kandidat të përbashkët opozitar, duhet të ketë bisedime, negociata, qoftë për Tiranën por edhe për vendet e tjera, dhe jo vetëm për këtë, por edhe për Këshillat Bashkiak.
Deri tani janë 4 kandidatë, tre të qartë dhe një për tu caktuar opozitar kundrejt një kandidati në bllok të PS. Mund të ishte e dobishme të ndiqej një modeli politik si në rastin e Francës, kandidatët dalin, por ata që janë brenda një kampi mbështesin atë që ka mundësitë më të mëdhaja për të fituar. Si mund të zgjidhej kjo? Një instrument i thjeshtë është sondazhi. Ata kandidatë që nuk kanë mundësinë për të fituar ta orientojnë mbështetjen drejt një kandidati kryesor”, tha ai.