Një shqiptar 64-vjeçar ka humbur jetën tragjikisht mëngjesin e sotëm në Itali, pasi është përplasur nga një automjet teksa ishte duke punuar në një kantier në autostradën A18, në aksin Messina-Catania.
Viktima është identifikuar si Hashim Mehmeti, me origjinë shqiptare, banues në Marcianise, në provincën e Caserta-s.
Sipas informacioneve të publikuara nga mediat italiane, një automjet i drejtuar nga një grua ka hyrë papritur në zonën e kufizuar për punimet në autostradë, duke përplasur fuqishëm 64-vjeçarin, i cili ndodhej në kantier duke kryer detyrën e tij.
Rrethanat e ngjarjes janë ende nën hetim. Mes pistave që po shqyrtohen nga autoritetet është edhe mundësia që drejtuesja e automjetit të ketë kryer një manovër të papritur për të shmangur një tjetër automjet, duke përfunduar më pas në zonën ku po zhvilloheshin punimet.