Gjykata e Lartë në Beograd ka lëshuar urdhër-arrest për Milan Radoiçiç, ish-nënkryetar i Listës Serbe dhe ka vendosur ndaj tij masën e ‘arrestit me burg’.
Lajmi është konfirmuar për median “Insajder” nga Gjykata e Lartë në Beograd. Sipas gjykatës, vendimi është marrë pasi Radoiçiç, i cili është nën hetim për përfshirjen në sulmin e armatosur në fshatin Banjskë në veri të Kosovës, nuk është paraqitur më 15 nëntor në komisariatin e policisë, në zbatim të masës ‘detyrim paraqitje’.
Paraqitja periodike në polici ishte një nga masat e sigurisë të vendosura nga gjykata, me qëllim garantimin e pranisë së tij gjatë zhvillimit të hetimeve.